
Dantella argjendi, bizhuteri jashtë kohës, frymëzim i përjetshëm, e kaluara, e tashmja. Nga kohërat e lashta e deri në ditët e sotme, kryeveprat e mjeshtërve e kanë krijuar bizhuterinë e filigranit me një pasuri mbresëlënëse të formave, simboleve dhe shkëlqimit. Filigrani është njëra nga format më të vjetra dhe më të bukura të artit të krijuara nga njeriu. Kjo teknikë është përdorur me shekuj në Maqedoni. Filigrani është bërë ekskluzivisht me dorë, dhe kështu e thekson veçantinë dhe vulën personale të artistit, zejtarit, krijuesit të punimeve të filigranit. Sot, si ndonjëherë, shumë kohë më parë, bizhuteritë e filigranit konsiderohen një kryevepër e punimeve artizanale, ndërsa shumë disenjues me famë botërore e kanë prezantuar si një atribut i modës së lartë. Teknika e filigranit është e njohur për një kohë të gjatë (2500 vjet p.e.s.) dhe gjatë shekujve është përdorur për të bërë bizhuteri të bukura, si dhe sende dekorative që ne akoma i admirojmë edhe sot e kësaj dite. Filigrani maqedonas është i fuqishëm dhe frymëzues, me simbolikë në secilën pjesë, e cila nuk mund t’ju lë indiferentë. Kjo dantellë e çmuar me tel argjendi i përçon sekretet e thurjes edhe sot nëpërmjet çdo cope bizhuterie, në çdo lloj të ndryshme, me uniken dhe çmueshmërinë e vet. Gërsheton orë të gjata pune, net pa gjumë, duke shikuar mbi mjetet që nën gishtat e zejtarëve të aftë e rreshtojnë çdo fije teli dhe shkruajnë një vepër të re. Dhe çdo mjeshtëri e re kreative kalon në shumë faza dhe është njëra nga teknikat më të sakta për të bërë bizhuteri. Për të bërë sende me këtë teknikë, përdoret teli i argjendit, arit ose, më rrallë, teli i bakrit për t’i kompozuar motivet. Motivet e telit të filigranit janë të ndryshme nga figurat gjeometrike me lule dhe kafshë. Disa kokrra të vogla metalike u vendosën ndonjëherë në sendet e tilla. Në të kaluarën, kur nuk kishte prodhim masiv të bizhuterisë, bizhuteria ishte prestigj, teknika e përpunimit të metaleve të çmuara bartej nga brezi në brez, duke i mbajtur sekretet e thurjes së dantellës së çmuar. Ekzistojnë disa lloje teknikash të përpunimit të filigranit, por të gjitha ato janë unike dhe magjike. Asnjë shpikje e veçantë e teknologjisë së lartë nuk kërkohet për të bërë një send filigrani. Mjeshtëria dhe talenti janë shumë më të rëndësishme. Filigrani është bërë ekskluzivisht me dorë dhe është shumë interesante që dantella e filigranit është bërë nga vetëm disa elemente tradicionale. Këto kryevepra të vogla përfshijnë edhe gurë gjysmë të çmuar për t’u dhënë atyre një bukuri shtesë. Filigranistët thonë se secila pjesë është unike, e papërsëritshme, rezultat i frymëzimit. Nëse kërkoni prej tyre të veçojnë se cili është i preferuari i tyre si formë ose përpunim, nuk mund të thonë, sepse për ta të gjitha janë “më të mirat”. Duhen disa orë për t’i bërë format më të thjeshta, ndërsa deri në disa ditë për ato më komplekse. Filigranisti, me punimet e tij unike, dëshiron që t’i dhurojë ëndrrat e tij. Pra, dashurojeni bizhuterinë e filigranit, në mënyrë që edhe ju të ëndërroni.